Transmeton Muaviu, Allahu qoftë i kënaqur me të, se e ka dëgjuar Muhamedin, sal-lallahu alejhi ue selem, duke thënë:
“ALLAHU KUJT JA DO MIRËSINË IA MËSON FENË...”
Zinxhiri i hadithit:
Këtë hadith e shënon imam Buhariu në tri vende në sahihun e tij nr. 71, 3116, 7312, Muslimi dhe Ibën Maxhe, Ibën Hibani, etj. të gjithë nga Muaviu, radijallahu anhu. Kurse Tirmidhiu dhe Ahmedi e përmendin nga Ibën Abasi, radijallahu anhuma. Pati transmetime edhe nga Ebu Hurejre, Omeri dhe i biri i tij Abdullahi, nga Ibën Mesudi, por jo të sakta dhe të njohura sikur të parat.
Hadithi ka edhe pjesën tjetër të tij në të cilin përmendet fjala e Pehgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem; “...vërtet unë jam vetëm një ndarës (i pasurisë) kurse Allahu është Dhuruesi i saj. Ky Umet vazhdon të pasoj urdhrin e Zotit duke mos i bërë dëm askush sado që kundërshtojnë derisa të vijë urdhri i Allahut-Kijameti) edhe pse neve do të flasim vetëm për pjesën e parë të hadithit që është shënuar në fillim të temës.
Komentim ii hadithit:
Ky hadith flet për një nga mirësitë më të mëdha, pas besimit, të cilat Allahu ja jep kujt të dojë nga robët e Tij.
Të kesh dituri për Zotin, për Profetin e Tij, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe për fenë është pasuria më e madhe që cilën do ta posedonte ndokush. Duke ditur se këtë që po përmendi shumë pak njerëz mund të ma besojnë, bor besoni se është ndjesia më e mirë që mund ta përjetosh. Gjithmonë duke mos harruar se vjen pas besimit të pastër që duhet ta ketë paraprakisht ky njeri.
Fjala në hadith: “KUJT JA DO ALLAHU TË MIRËN”
Nga kjo pjesë e hadithit kuptojmë disa gjëra:
-Kuptimi dhe të mësuarit e fesë nga vet Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, pohohet si mirësi ndër më të mëdhatë.
- Allahu të gjithë robërve të vet ua do të mirën me Drejtësinë e Tij, por ndodhë që me Mëshirën e Vet ta veçoj dikë nga njerëzit tjerë dhe t`i japë mirësi më të shumta se të tjerët.
-Dituri e fesë nuk është vetëm me të lexuar parimisht ajo është mirësi nga Zoti. Prandaj edhe është thënë kjo pjesë e tekstit nga Mësuesi i diturive i cili e dinte edhe këtë fshehtësi të diturisë.
-Bazuar në pikën paraprake njeriu parimisht nuk duhet të mbështetet në forcat e tij, në aftësitë e as leximin dhe mundin e madh që ai e bënë në kërkim të diturisë. Ajo është dhuratë dhe mirësi nga Allahu të cilën ia jep atij që ja do të mirën. Pra është rrizk-furnizim i Zotit.
-Megjithatë, edhe pse në pikën paraprake thamë se dituria është mirësi e Allahut që i jepet kujt do Zoti, kjo nuk do të thotë që besimtari të rrijë duke pritur diturinë, të mos mundohet për të mësuar. Besimtari patjetër duhet të mos dorëzohet e as të mos presë që t`i vijë dituria, le të angazhohet maksimalisht për këtë gjë. Këtë që përmendëm e ilustrojmë edhe me hadithin profetik në të cilin thuhet se ai, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “O njerëz, mësoni sepse dituria arrihet duke mësuar, urtësia duke u bërë i urtë, dhe durimi duke duruar...” (shënon Ibën ebi Asimi dhe Taberaniu, nga Muaviu, kurse Ebu Nuajm Asbahani nga Ibën Mesudi. Bezari nga fjala e Ibën Mesudit. Hadithi ka sened të dobët për të cilin Ibën Haxheri cekë se mund të forcohet. Shih: Fet-hul bari 1/212)
-Pika para kësaj sqarohet se dituritë ndahen në dy grupe: a) Dije fetare dhe; b) dije jo fetare e cila arrihet me zbulime dhe prova të njëpasnjëshme. Dituritë e llojit të parë patjetër duhet mësuar nga burimet e veta; siç janë Kurani dhe Suneti duke qëndruar sa më larg filozofisë dhe mashtrimeve devijuese. Ndërsa lloji i dytë është i lejuar të provohet dhe të bëhet eksperimente me të duke pohuar se çdoherë që njeriu e ri-vepron do të ushtrohet më shumë.
Megjithatë neve qëndrojmë në mendimin se edhe dituritë fetare janë ato që duhet ushtruar, duhet përsëritur, duhet mësuar dhe duhet mos-hequr dorë prej mësimit të tyre si për shembull leximi i rrjedhshëm i Kuranit, mësimi përmendësh i tij, mësimi i haditheve, etj. Andaj patjetër duhet përsëritur dhe duhet mësuar pa u ndalur.
Por, në fund të fundit besimtari duhet të ketë bindje dhe mbështetje tek Zoti se mirësia, suksesi dhe vullneti, kuptimi dhe arritjet prapë vijnë nga Zoti duke mos mohuar anën tjetër se Zoti ja jep atij që mundohet.
Fjala në hadith: “IA MËSON”
Fjalën arabe: “Jufekih-hu” e kemi përkthyer si mësim, por ajo nënkupton më shumë se kaq në të futet të kuptuarit e fesë e cila është primare në këtë kuptim dhe të mësuarit e teksteve të saj përmendësh, andaj në shqip mendoj se është fjalë më gjithë përmbledhëse fjala: “IA MËSON” pra ia mëson tekstet përmendësh por ia mëson edhe kuptimin e teksteve. Këtë që përmendëm e bazojmë në hadithin e saktë profetik në të cilin ceket se njerëzit më të mirë në dituri janë ata që i ngjajnë tokës e cila edhe e thithë ujin e shiut por edhe një pjesë e mban përmbi sipërfaqe që prej saj të përfitojnë të tjerët, e thithja nënkupton mësimin e kuptimeve ndërsa mbajtja mbi sipërfaqe nënkupton nxënien përmendësh (hadith që do ta cekim më poshtë inshaAllah).
Fjala në hadith: “FENË...”
Kjo fjali ka shumë domethënie, neve do të përmendim si në vazhdim:
-Fjala “FE” është shumë e madhe në të nuk futet vetëm adhurimi, por aty hyjnë çështjet e besimit, ato të adhurimit, gjykimet, etika..etj. prandaj të ketë kujdes njeriu i cili i mëson disa çështje-mesele të fesë e pastaj të mendoj se futet në radhët e personave për të cilët flet hadithi.
-Kuptimi i fesë është edhe mësimi i sunetit sepse feja nuk mësohet pa e njohur sunetin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem. Andaj kujdes në këtë pikë, sepse pretendimi i mësimit të fesë, apo Kuranit pa mësimin dhe kuptimin edhe të hadithit apo sunetit është jo vetëm i refuzuar shkencërisht por edhe i pamundur praktikisht.
---
Njerëzit karshi diturisë sipas hadithit të Pejgamberit Muhamed, sal-lallahu alejhi ue selem, ndahen në tri grupe, ai, paqja dhe lëvdatat e Zotit qofshin mbi të, thotë:
“Shembulli im i udhëzimit dhe diturisë me të cilin më dërgoi Allahu është sikur shembulli i shiut i cili bie në terren të shumëllojshëm. Prej saj pat tokë aq të mirë sa e pranoi ujin. Ajo nxori shumë barë dhe kullosa. Vendi tjetër ishte i thatë (i fortë) që nuk e piu ujin por e mbajti atë mbi vete. Prej tij Allahu ju bëri dobi të tjerëve, ata pinë për vete, ju dhanë të tjerëve por edhe ujitën. Lloji i tretë është i tokës që as nuk e mbajti ujin e as nuk mbiu kullosë. Kështu është shembulli i atyre që e kuptuan fenë e Allahut dhe dhe përfituan prej asaj me të cilën më dërgoi Ai. Ai mësoi për vete dhe i mësoi të tjerët dhe shembulli i tjetrit i cili nuk përfitoi asgjë prej saj duke e refuzuar udhëzimin e shpallur tek unë” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Kështu njerëzit janë në tri kategori karshi mësimit të fesë:
1-Ai i cili ka mësuar fenë dhe e ka kuptuar atë, i ka mësuar argumentet përmendësh por ka qenë në gjendje të nxjerrë dispozita prej tyre, t`i analizojë ato, etj. Personi i tillë ka përfituar për vete por u ka bërë dobi edhe të tjerëve. Shembulli i tij është si i tokës që ka pirë ujë por ka nxjerr prej saj kullosa, etj.
2-Ai i cili e ka mësuar diturinë qoftë përmendësh apo vetëm i ka lexuar dispozitat fetare mirëpo nuk ka qenë në gjendje t`i analizoj ato, apo të përfitoj shumë prej tyre. Megjithatë prej tij kanë përfituar të tjerët sepse atë dituri e ka trashëguar tek gjeneratat e tjera. Shembulli i tillë vlen për njerëzit që nëpër kohëra të ndryshme e deri sot kanë mësuar përmendësh shumë tekste të ndryshme por nuk kanë qenë në gjendje të kuptojnë dhe t`i analizojnë ato megjithatë i kanë bartë tek gjeneratat e tjera dhe prej tyre është përfituar mjaft. Këtu bënë pjesë hafizi i Kuranit i cili e mëson Kuranin apo ai i hadithit megjithatë as nuk di ta përkthej e as ta shpjegoj, nuk i njeh dispozitat e asaj që ka mësuar përmendësh. Megjithatë ai ua mëson të tjerëve, u bënë dobi atyre por edhe vet shpërblehet për mundin e tij të mësimit si dhe të mësimit të tjerëve.
3-Ata që as nuk kanë mësuar përmendësh por as nuk kanë kuptuar asgjë. Ata që nuk kanë përfituar gjithashtu prej tyre nuk ka përfituar askush.
-Bazuar në këtë hadith arrijmë në konkludim se më i miri nga të gjitha këto kategori është ai që mëson përmendësh tekstet fetare dhe i kupton ato, përfiton për vete dhe përfitojnë të tjerët prej tij, pastaj vjen në radhë ai i cili i mëson përmendësh tekstet fetare apo është mjaft i aftë në përmendjen e mendimeve të dijetarëve por jo edhe analist i mendimeve. Ky përfiton për vete më pak se lloji i parë por prej tij përfitojnë të tjerët. Ndërsa në fund vjen lloji i tretë që veç e përmendëm.
-Ibën Abasi ishte njëri prej shokëve të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, për të cilët ky i fundit u lut që Allahu t`ia mundësojë mësimin e fesë dhe komentimin e Kuranit. Kështu lutja profetike u pranua nga Allahu dhe Ibën Abasi konsiderohet njëri nga dijetarët më të nderuar të sahabëve.
Disa dobi të hadithit:
-Hadithi vërteton cilësinë e dëshirës për Allahun.
-Allahu mund ta dalloj dikë nga robërit e Tij të cilin pastaj me Mëshirën dhe Urtësinë e Vet e bën dijetar.
-Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tregon se prej shenjave më të qarta të dashurisë së Allahut ndaj robit të Tij është mësimi i fesë dhe kuptimi i saj.
-Vlera e madhe që kanë dijetarët e Islamit të cilët i zgjodhi Allahu nga masa tjetër e popullit, gjithashtu ata ishin që bashkuan mes hafizllëkut të teksteve fetare dhe kuptimit të tyre. Ata mësuan për vete, praktikuan ato mësime dhe pastaj ua mësuan edhe të tjerëve.
-Nxitja e madhe për mësimin e diturive fetare.
-Asketizmi karshi diturisë së fesë nënkupton probleme tek ai person si dhe është prej shenjave të privimit të tij nga hajri i madh.
-Dijetarët nëse i sheh do të habitesh me ta se si Allahu ua ka mundësuar t`i kuptojnë dhe mësojnë aq mirë mësimet fetare, t`i shtjellojnë aq bukur e hijshëm dhe të nxjerrin aq shumë dobi e mësime prej një ajeti ose hadithi sa kur i dëgjon të kënaqet zemra. Kjo është shenjë e hajrit nga Zoti për ta.
-Mësimi i fesë parimisht nënkupton mësimin e çështjeve të besimit, të monoteizmit, të kufrit e shirkut e pastaj adhurimet, e kështu me radhë. Pra fillon me gjërat e rëndësishme dhe ato më të nevojshmet duke kaluar tek më të thjeshtat e kështu me radhë. Duke mos mohuar se në fe çdo gjë është e rëndësishme.
-Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, duke folur rreth të këtij hadithi në Sahihun e Buhariut thotë: “Nga hadithi kuptohet edhe ana e tij e kundërt; se ai i cili nuk e mëson, nuk e kupton e as interesohet për këtë fe, ai është privuar nga shumë mirësi. Ebu Jala e përmend hadithin e Muaviut, radijallahu anhu, nga një transmetim tjetër me zinxhir të dobët në fund të cilit shton tekstin: `Kush nuk e mëson fenë e Zotit atëherë Allahu nuk interesohet për të` kuptimi i të cilit është më se i saktë. Kjo për shkak se ai i cili nuk i mëson rregullat e fesë së tij nuk mund të jetë fekih-njohës i fesë e as kërkues i dijes gjendje kjo për të cilën ja vlen të thuhet se ai është privuar nga mirësia-hajri”
No comments:
Post a Comment