Saturday, November 24, 2012

Vlera E Ditës Së Ashures


Për vlerën e kësaj dite ka disa hadithe prej tyre: 
1.Hadithi i Ebi Katade el Ensari, i cili transmeton se pejgamberi ka thënë: “E llogaris që dita e ashurës t’i falë mëkatet e vitit të kaluar.” Transmeton Muslimi.
2. Nga Abdullah Ibën Ebi Jezid transmetohet se ka dëgjuar Ibën Abasin, i cili është pyetur për agjërimin e ashurës dhe është përgjigjur: “Nuk di që pejgamberi ka agjëruar ndonjë ditë duke kërku vlerën e saj, se sa dita e ashurës dhe nuk ka agjëruar ndonjë muaj tjetër përveç këtij muaji (ka për qëllim mujin e ramazanit).” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Kur është dita e ashurës
Ibni Kudame në librin e ti “El Mugni” ka thënë: “Ashura është dita e dhjetë e muajit muharrem.” Po kështu ka thënë edhe Seid ibni Musejib dhe Hasan el Basri, duke u bazuar në fjalën e Ibni Abasit, i cili ka thënë: “Ka urdhëruar pejgamberi agjërimin e ditës së ashurës, ditën e dhjetë të muajit muharrem.” Transmeton Tirmidhiu dhe thotë hadithi është i vërtet, i mirë.
Cila është më e vlefshme dita e arafatit apo dita e ashurës
Ibn Haxheri ne sqarimin e Buhariut ka thënë: Transmetohet nga Muslimi se pejgamberi ka thënë: “Dita e ashurës i falë gjynahet e një viti, ndërsa dita e arafatit i falë gjynahet e dy viteve.”
Nga kjo bëhet e qartë se agjërimi i ditës së arafatit është më i vlefshëm se agjërimi i ditës së ashurës. Është thënë se urtësia e kësaj është se dita e ashurës ka të bëjë me Musain, ndërsa dita e arafatit është prej pejgamberit dhe për këtë është më e vlefshme. Po ashtu, ka thënë Ibn Kajimi në librin e tij “Bedai el feuaid”: “Nëse thuhet se pse dita e ashurës i falë gjynahet e një viti, ndërsa dita e arafatit i falë gjynahet e dy viteve, përgjigjja është në dy forma: e para se dita e arafatit është në muajin e shenjtë, për arsye se ky muaj ndodhet në mes të dy muajve të shenjtë, ndërsa e dyta është se dita e arafatit është prej veçorive të sheriatit tonë, për dallim nga dita e ashurës dhe për këtë është bërë dita e arafatit më e vlefshme.”
A ka qenë ashura para se të obligohet muaji i ramazanit obligim apo i preferueshëm
Dijetarët rreth kësaj çështje kanë rënë në mospajtim. Disa prej tyre kanë thënë se ka qenë e preferueshme, ndërsa disa të tjerë kanë thënë se ka qenë e obligushme. Dhe thënia më afër të vërtetës është se ajo ka qenë obligim, pastaj me obligushmërinë e ramazanit ajo ka kaluar si ditë e preferueshme për agjërim.
Nga Ibni Abasi transmetohet se kur pejgamberi u shpërnguil në Medine i gjeti çifutët duke agjëruar këtë ditë dhe i pyeti: Çfarë është kjo ditë që po e agjëroni? Ata thanë se kjo është një ditë e madhe që shpëtoi në të Allahu Musain dhe popullin e tij dhe e fundosi faraonin dhe popullin e tij. Pejgamberi tha: “Ne kemi më shumë të drejtë në Musain se ju.” E agjëroi Pejgamberi këtë ditë dhe urdhroi të agjërohet.
Urtësia e agjërimit të ditës së nëntë
Ibn Haxher ka thënë në lidhje me hadithin e Pejgamberit: “Nëse jam gjallë deri vitin e ardhshëm do ta agjëroj edhe ditën e nëntë”, se atë që e ka pas ndërmend pejgamberi ta agjërojë ka pas për qëllim që ditës së dhjetë t’ia ngjes edhe ditën e nëntë ose si preferim prej tij, ose si kundërshtim i çifutëve sa i përket kësaj dite.
Agjërimi i ditës së nëntë apo të dhjetë të këtij muaji për atë i cili nuk i ka kompensuar ditët e ramazanit
Është prej gabimeve agjërimi i ditës së nëntë dhe të dhjetë nëse dikush nuk i ka kompensuar ditët e ramazanit që i kanë mbetur. Për arsye se kompenzimi i ditëve të ramazanit që kanë mbetur janë obligim, ndërsa agjërimi i ditës së nëntë dhe të dhjetë të këtij muaji janë sunet dhe nuk lejohet t’i japim përparësi sunetit para farzit. Atij që i kanë mbetur ditë të ramazanit pa i plotësuar, duhet t’i kompensojë ato, pastaj të fillojë të agjërojë këto ditë të muharremit.
Format e agjërimit të ditës së ashurës 
E para: Të agjërojë ditën e nëntë dhe të dhjetë dhe kjo është forma më e mirë, duke u bazuar në hadithin e Ibën Abasit se pejgamebri ka thënë: “Nëse jam gjallë deri vitin e ardhshëm, do ta agjëëroj ditën e nëntë, gjithashtu.”
E dyta: Ta agjërojë ditën e dhjetë dhe të njëmbdhjetën, bazuar në hadithin e pejgamberit i cili ka thënë: “Kundërshtoni çifutët duke agjëruar një ditë para dhe një ditë mbrapa.”
E treta: Ta agjërojë ditën e nëntë, të dhjetën dhe të njëmbdhjetën, bazuar nga hadithi që përmendëm në shkallën e dytë të agjërimit.
E katërta: Ta vetmosh ditën e dhjetë me agjërim, bazuar nga hadithi i pejgamberit: “Agjërimi i ditës së dhjetë (ashurës ) e llogaris t’i falë gjynahet e vitit të kaluar.”
Cilat prej gjynaheve i fal agjërimi i ditës së ashurës
Imam Neveviu ka thënë: “I fal të gjitha gjynahet e vogla e jo të mëdhajat.” Po ashtu ka thënë: “Agjërimi i ditës së arafatit i fal gjynahet për dy vite, ndërsa agjërimi i ditës së ashurës i fal gjynahet e një viti.” Nëse amini i imamit në namaz bashkohet me aminin e engjëjve, i falen gjynahet që i ka bërë më herët. Të gjitha këto veprime vlejnë për faljen e gjynaheve. Nëse ka gjynahe të vogla i falen ato. E nëse nuk ka as të vogla, as të mëdha, Allahu e ngrit në shkall më të lartë, ndërsa nëse ka bërë gjunahe të mëdha e nuk ka bërë të vogla, shpresojmë tek Allahu që t’ia lehtësojë peshën e gjynaheve të mëdha.
Shejhul islam Ibën Tejmije ka thënë se abdesi, namazi, agjërimi i ramazanit, agjëirmi i ditës së arafatit, agjërimi i ditës së ashurës, të gjitha këto i falin gjynahet e vogla e jo të mëdha, sepse e dimë se për faljen e gjynaheve të mëdha nevojitet pendim.
Dobitë e agjërimit të ditës së nëntë dhe dhjetë të muajit muharrem 
Dobia e parë: 
Në këtë muaj, Allahu e shkatërroi faraonin dhe e shpëtoi Musain (alejhi selam) dhe Musai e agjëroi këtë ditë si falenderim Allahut dhe për këtë duke e pasuar pejgamberin Musai e agjeroi edhe ai këtë ditë.
Ndërsa fjalët që janë të përhapura se gjoja në këtë ditë është ndalur anija e Nuhut mbi kodrën Xhudij apo në këtë ditë Allahu e shpëtoi Junusin prej barkut të balenës apo në këte ditë Allahu e solli kurbanin në vend të Ismailit, këto nuk kanë baza dhe nuk janë të vërteta. Ajo që është e vërtetë, është se Allahu në këtë ditë e ka shpëtuar Musain prej faraonit dhe e ka shkatërruar faraonin.
Dobia e dytë: 
Në këtë ditë shprehet armiqësia ndaj pabesimtarëve dhe miqësia ndaj besimtarëve. E duam Musain dhe e urrejmë faraonion dhe ata që e pasojnë rrugën e tij, ndërsa e duam Musain dhe i duam ata që i pasojnë pejgamberët.
Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Nyjet më të forta në Islam janë dashuria për Allah dhe urrejtja për Allah, miqësia për Allah dhe armiqësia për Allah.”
Me këtë njeriu e shpreh akiden e miqësisë dhe armiqsisë në Islam.
Dobia e tretë: 
Kundërshtimi i pabesimtarve në agjërimin e kësaj dite.
Ne muslimanet jemi të obliguar që t’i kundërshtojmë në të gjitha mënyrat dhe për këtë urdhroi Pejgamberi të agjërojmë edhe ditën e nëntë të muharremit.
Dhe në fund e lusim Allahun që të na i falë gabimet tona dhe të na ngrijë në shkallë më të lartë, sepse ai për këtë është i Plotfuqishëm. Përshëndetjet tona qofshin mbi pejgamberin shokët e tij, familjen e tij dhe mbarë muslimanët deri në Ditën e Gjykimit.


Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Atë të cilin e udhëzon Allahu nuk ka kush e humbet dhe atë të cilin e humbet Allahu, me drejtësinë e Tij, nuk ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë pos Allahut të vetëm e të pa shok dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij.

I dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- na ka treguar në hadithet e tij për mirësinë e agjërimit në muajin e Muharremit, muaji i parë i vitit hixhri, ku ka thënë:

“Agjërimi më i mirë pas agjërimit të muajit të Ramazanit është muaji i Allahut Muharrem, kurse namazi më i mirë pas namazeve të obliguara është namazi i natës” transmeton imam Muslimi në Sahihun e tij me numër: 1163 nga Ebu Hurejra –Allahu qoftë i kënaqur prej tij”.

Kurse në një transmetim tjetër nga Xhundub ibn Sufjan –Allahu qoftë i kënaqur prej tij- se ka thënë: i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- thoshte:

“Me të vërtetë namazi më i mirë pas namazeve të obliguara është namazi në mesin e natës, kurse agjërimi më i mirë pas agjërimit të muajit të ramazanit është muaji i Allahut të cilin e quani Muharrem” e ka saktësuar imam Albani me anë të rrugëve të hadithit tek libri: Tergib we Terhib: 1/437 me përgatitjen e Shejh Meshhur Hasen Al Selman.

Gjithashtu i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- i ka dhënë një rëndësi të veçantë agjërimit ditën e dhjetë të këtij muaji, ditë që quhet dita e Ashura, ku ka thënë për mirësinë e agjërimit të kësaj dite:

Nga Humejd ibn Abdurrahman se ka dëgjuar Muauijetu ibn Ebi Sufjan –Allahu qoftë i kënaqur prej tij- në kohën e haxhit mbi hutbe duke thënë: O banorët e Medines! Ku janë dijetarët tuaj? Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- duke thënë: “Kjo është dita e Ashura. Allahu nuk jua ka bërë obligim agjërimin e saj, por unë do ta agjëroj, ai i cili dëshiron le të agjërojë e ai i cili dëshiron le të mos agjërojë” transmeton imam Buhari: 2004 dhe imam Muslimi: 1129.

Nga Aishja –Allahu qoftë e kënaqur prej saj- se ka thënë: Dita e Ashura ishte ditë që kurejshët e agjëronin atë në kohën para Islamit, edhe i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- e agjëronte atë para Islamit. Pasi u shpërngul në Medine e agjëroj atë ditë dhe urdhëroj që ta agjëronin atë, pasi u bë obligim agjërimi i muajit të ramazanit ai e la agjërimin e Ashuras, ai i cili dëshironte e agjëronte atë ditë e ai që dëshironte nuk e agjëronte” transmeton imam Buhari: 2002 dhe imam Muslimi: 1125.

Nga Ibn Abasi –Allahu qoftë i kënaqur prej tij- se ka thënë: Kur u shpërngul i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- në Medine vuri re se Jehudët e agjëronin ditën e Ashura dhe u tha atyre: Pse e agjëroni? Ata i thanë: Kjo është një ditë e mirë, kjo është dita që Allahu i shpëtoj Beni Israilët nga armiku i tyre kështu që Musai e agjëroj atë ditë. Ai -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- u tha: “Unë jam më parësor për ta ndjekur Musain se sa ju” kështu që e agjëroj atë ditë dhe urdhëroj që ta agjëronin edhe të tjerët” transmeton imam Buhari: 2004 dhe imam Muslimi: 1130.

Nga Ebi Musa El Esharij –Allahu qoftë i kënaqur prej tyre- se ka thënë: Ditën e Ashura Jehudët e konsideronin festë, i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- tha: “Atëherë agjërojeni ju atë ditë” transmeton imam Buhari: 2005 dhe imam Muslimi: 1131.

Nga Ibn Azasi –Allahu qoftë i kënaqur prej tyre- se ka thënë: Kur i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- agjërojë ditën e Ashura dhe urdhëroj që ta agjëronin edhe të tjerët atë ditë, i thanë atij: O i dërguari i Allahut! Kjo është një ditë që Jehudët dhe të Krishterët e madhërojnë! I dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- tha: “Kur të vijë viti tjetër –me lejen e Allahut- do ta agjërojmë edhe ditën e nëntë”. Thotë Ibn Abasi: “Nuk erdhi viti tjetër derisa ndërroj jetë i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të”.

Kurse në një transmetim tjetër: “Nëse jetoj deri vitin tjetër do ta agjëroj edhe ditën e nëntë” transmeton imam Muslimi: 1134.

Nga Ebi Katade –Allahu qoftë i kënaqur prej tij- se i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- u pyet për agjërimin e ditës së Ashura? Dhe tha: “Ajo i fal gabimet e vitit që ka kaluar” transmeton imam Muslimi: 1162.

No comments:

Post a Comment